Secondary Adv

Në shtator nis heqja e kabllove ajrore, Fokusi në qendrat urbane dhe zonat turistike

Kabllot ajrore, të cilat janë kthyer në shenja identifikuese të qyteteve shqiptare për vite me radhë, do i nënshtrohen ndërhyrjeve për eleminimin e tyre.


Lajmi është bërë I ditur nga Kryeministri Rama disa ditë më parë. Televizioni SCAN mëson se ndërhyrjet konkrete në terren do të fillojnë nga muaji shtator.


Procesi do të nisë fillimisht me fazën përgatitore gjatë muajve korrik–gusht 2026, ku do të ngrihen grupet e punës, do të koordinohen institucionet përgjegjëse dhe bashkitë do të punojnë për identifikimin e zonave prioritare në territorin e tyre.


Fokusi fillestar do të jetë te qendrat e qyteteve, zonat turistike, akset kryesore dhe hapësirat me rëndësi të veçantë publike, aty ku problematika e kabllove ajrore dhe strukturave të improvizuara është më e dukshme.


Në këtë fazë nuk ka ende një listë përfundimtare publike të zonave specifike problematike, pasi ato do të përcaktohen në bashkëpunim me bashkitë, AKEP, OSSH dhe operatorët e komunikimeve elektronike.


Aktualisht, komplekset e ndërtuara rishtazi e kanë zgjidhur këtë situarë, duke I futur kabllot nën tokë, ndërsa problematika më e madhe shfaqet në komplekset e vjetra të banimit, të cilat nuk kanë infrastrukturën e përshtatshme dhe kabllot e llojeve të ndryshme krijojnë një imazh jo estetik për qytetet.


Procesi është konceptuar si një ndërhyrje graduale, me qëllim sistemimin e rrjeteve ajrore, eliminimin e kabllove jashtë funksioni dhe kalimin drejt infrastrukturës nëntokësore, për qytete më të rregullta, më të sigurta dhe me standard më të lartë urban. Ndërhyrja do të drejtohet nga Ministria e Shtetit për Pushtetin vendor, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, AKEP dhe kompanitë e telekomunikacionit.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat